Kryeministrja Ana Brnabiq tha sot se është hequr “rreziku i menjëhershëm” i vendosjes së sanksioneve ndaj Serbisë për shkak të akuzave se Beogradi zyrtar qëndron pas konfliktit mes një grupi të armatosur serbë dhe policisë së Kosovës pranë manastirit të Banjskës më 24 shtator, po tha ajo se “lufta vazhdon”, transmeton Inlajmi.
Brnabiq tha për televizionin Happy se “rreziku i afërt” është hequr falë aktiviteteve të presidentit serb Aleksandar Vuçiq në samitin joformal të liderëve të Bashkimit Evropian në Granada javën e kaluar, por se ka ende një luftë për këtë çështje.
Me rastin e raportimit për konfliktin mes një grupi serbësh dhe policisë së Kosovës në Banjskë në veri të Kosovës, kryeministrja akuzoi, siç tha ajo, “mediat e Solakit” se po transmetojnë deklaratat e bëra nga autoritetet në Prishtinë “si nëse ishin të vërteta” pa i kontrolluar.
Ajo tha se autoritetet në Prishtinë po sulmojnë familjen e presidentit të Serbisë, për faktin se ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka publikuar, siç thuhet, dokumentet personale të njërit prej serbëve që kanë marrë pjesë në sulm në Banjskë, të cilat u gjetën në vend dhe ai, dyshohet se ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Danilo Vuçiqit.
Kryeministrja akuzoi opozitën serbe se, siç tha ajo, ashtu si mediat e Prishtinës, “sulmojnë rregullisht dhe vazhdimisht” dhe kanë “shënjestruar drejtpërdrejt” familjen e Aleksandër Vuçiqit.