Këtë të Shtunë, nafta e papërpunuar arriti një çmim prej 84.6 dollarësh për fuçi në bursën e Londrës për kontratat e blerjes për muajin Dhjetor në 82.8 në atë të Nju Jorkut për kontratat e Nëntorit.
Siç duket në këtë grafik krahasues, ditët e fundit çmimi i arit të zi është reduktuar me më shumë se 10 Dollarë që prej kulmit të arritur më 27 Shtator kur nafta e papërpunuar u tregtua me 93 deri 94 Dollarë për fuçi.
Ekspertët shpjegojnë se gjatë stinës së verës, kërkesa për naftë rritet në mënyrë të vazhdueshme nga muaji në muaj si pasojë e shtimit të udhëtimeve për pushimet verore, e po ashtu rritjes së aktiviteteve prodhuese.
Këtë vit kjo rritje kulmoi në fund të muajit Shtator dhe tashmë, sipas tyre kulmi i kërkesës për naftë është lënë pas, çka ka sjellë rënien e ndjeshme të çmimit, shkruan Telegrafi.
Karteli më i madh i vendeve prodhuese të naftës në botë ku bëjnë pjesë dy eksportuesit më të mëdhenj, Arabia Saudite dhe Rusia thanë se nuk parashikojnë asnjë ndryshim të sasisë së prodhimit deri në Dhjetor.