Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka reaguar ndaj kryeministrit Albin Kurti që e fajësoi opozitën për mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ndërsa i kujtoi atij se deputetët e tij nuk po votojnë as ligjet e thjeshta, raporton InLajmi.
Zemaj, u shpreh se përveç njërës marrëveshje që nuk e kanë votuar të tjerat janë votuar
“Kryeministër me i thënë LDK-së sesi është qëndrueshmëria e shtetit të Kosovës, është sikur ai fëmija i papjekur që i thotë prindit të vet ‘hajde babë t’i tregoj mexhat’. E 2-ta për me tregu që ju jeni serioz edhe jeni shumicë kuvendare ju i kaloni ligjet e thjeshta me votim të thjeshtë. E kalon Kodin Civil dhe i pyet deputetët e tu këtu se me votat e kujt i ke kaluar Ligjin për çmimin tavan të barnave, Ligjin për shëndetin riprodhues dhe dje nuk mujte me kaluar as Ligjin për librat shkollor. Ky është serioziteti i shumicës suaj parlamentare. Para se ta akuzosh LDK-në për mosvotimin e ndonjërës prej marrëveshjeve ndërkombëtare”, deklaroi Zemaj.
Tutje Zemaj iu është drejtuar Kurtit se po vazhdoni me popullizëm e me demagogji , por nuk po përmbushni obligimet.
“Vazhdoni me sfilata, me popullizëm, vazhdoni me demagogji por kjo nuk ju bënë nder. Duhet të jeni përgjegjës për votën që e keni, për shumicën kuvendare dhe për përmbushjen e obligimeve që i keni sipas Kushtetutës dhe Ligjeve në fuqi”, ka thënë tutje Zemaj.