Sulmi terrorist që ndodhi të dielën e 24 shtatorit në veri të Kosovës nxiti edhe misionin e NATO-s në Kosovë që të shtojë forcën.
Shteti i parë që mori një vendim të tillë ishte Mbretëria e Bashkuar, e cila do të dërgojë 200 ushtarë në kuadër të KFOR’it. Këtë veprim e ndoqi edhe shteti i Rumanisë me 100 trupa shtesë.
Derisa edhe Gjermania ka konfirmuar se është duke e shqyrtuar këtë mundësi.
Një zëdhënës i Komandës së Përbashkët Operative të Bundeswehr ka folur për Gazetën Express nëse edhe Gjermania do të dërgojë trupa shtesë në Kosovë pas tensioneve të fundit të krijuara në veri të vendit.
“Ne jemi duke e monitoruar situatën nga afër dhe jemi në kontakt të ngushtë me Qeverinë e Kosovës dhe aleatët tanë të NATO-s për hapat e mundshëm të mëtejshëm. Është e rëndësishme që të gjitha argumentet të peshohen në mënyrë objektive”, ka thënë ai.
Kryeministri Albin Kurti ka mirëpritur dërgimin e trupave shtesë nga vendet aleate të NATO-s pas sulmit të fundit terrorist që la të vrarë policin Afrim Bunjaku. Arsyeja tjetër pse Kurti e mirëpriti këtë vendim ishte edhe vendosja e ushtrisë së Serbisë në kufi me Kosovën.
“Ne na duhet NATO-ja sepse kufiri me Serbinë është shumë i gjatë dhe ushtria serbe së fundi po forcon kapacitetet e saj dhe ata kanë shumë pajisje ushtarake, si nga Federata Ruse ashtu edhe nga Kina”, tha Kurti.
Sulmin e terroristëve ndaj Policisë së Kosovës Kurti e kishte cilësuar edhe si “shkelje për praninë e NATO-s”.
“Kjo është shkelje edhe për praninë e NATO-s, pasi NATO kujdeset për sigurinë e shtetit tonë. Historia e NATO-s dhe historia e Kosovës janë të ndërthurura”.
Më 29 shtator, ishte mbledhur Këshilli i Atlantikut i Veriut për të diskutuar situatën në Kosovë. Aleatët shprehën shqetësimin e tyre të thellë për tensionet në rritje në veri të Kosovës.
NATO në këtë komunikatë është zotuar se do t’i ndërmarrë “të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”
“Ne e bëjmë këtë në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, tha NATO, duke njoftuar se kanë marrë vendim për trupa shtesë në Kosovë.
“Që nga maji, ne kemi përmirësuar praninë e KFOR-it. Vetëm dje (28 shtator) Këshilli i Atlantikut të Veriut autorizoi forca shtesë për të adresuar situatën aktuale. Ne gjithmonë do të vazhdojmë të sigurohemi që komandanti ynë të ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm që KFOR-i të përmbushë mandatin e tij. Ne jemi të gatshëm të bëjmë rregullime të mëtejshme në prezencën e KFOR-it sipas nevojës”.
NATO ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që urgjentisht të ulin tensionet dhe të kthehen në tavolinën e dialogut.
Mbretëria e Bashkuar në njoftimin për dërgimin e trupave shtesë në Kosovë tha se vendimin e mori pas një kërkese nga Komandanti i Lartë i NATO-s në Europë.
“Pas një kërkese nga Komandanti Suprem i Aleatëve në Europë (SACEUR) dhe miratimit nga Këshilli i Atlantikut të Veriut, Mbretëria e Bashkuar do të vendosë rreth 200 ushtarë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Walesit në ditët në vijim për t’iu bashkuar kontigjentit britanik prej 400 trupash tashmë në vend si pjesë e një ushtrimi vjetor”.
Gjithashtu edhe ambasadori i Rumanisë në NATO tha të martën se Bukureshti do të shtonte një “kontigjent në nivel kompanie” për paqeruajtësit e KFOR-it pas një vendimi nga aleanca perëndimore për të shtuar numrin e trupave.