Partia Demokratike zyrtare kërkon interpelancë me Kryeministrin Edi Rama, pasi duan shpjegime për deklaratën e tij që KFOR duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës.
Kërkesa e dorëzuar në Kuvend mban firmën e deputetit, Kreshnik Çollaku, i cili në emër të Partisë Demokratike zyrtare do të kërkojë nga Rama shpjegime edhe për reagimet e tij lidhur me ngjarjet e 24 shtatorit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Sipas selisë blu, kërkesa për marrjen nën kontroll nga KFOR të veriut të Kosovës është një shpallje de facto e protektoratit ndërkombëtar mbi një pjesë të territorit të shtetit sovran të Kosovës, shkruan A2CNN.
Po ashtu, sipas tyre një kërkesë e tillë cenon sovranitetin e Kosovës mbi atë pjesë të territorit të saj, si dhe kompromenton autoritetin e Policisë së Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës.