Në Gjirokastër u zhvillua aktiviteti në kuadër të “Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”.
Drejtoria e Turizmit dhe Kulturës Gjirokastër bëri të ditur se, ky aktivitet u realizua në bashkëpunim me artizanen Buqe Muka dhe djalin e saj Markelian Muka si shembulli më i mirë i trashëgimisë ndër breza të artizanatit si mjeshtëri e punës me dorë, traditë e grave gjirokastrite.
Në këtë aktivitet, kostumet tradicionale të zonës së Gjirokastrës, të skicuara nga djali e të punuara me dashuri e përkushtim nga nëna, u ekspozuan sot në ambientet e kalasë së Gjirokastrës për turistët vendas e të huaj, por edhe gjithë artdashësit, shkruan ATSH.
Pjesë e bashkëpunimit ishte edhe Zyra Arsimore Gjirokastër me nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri” dhe shkollës 9-vjeçare “Urani Rumbo” ku fëmijët u angazhuan në shtëpitë e tyre për të gatuar ushqimet tradicionale të zonës dhe shitjen e tyre me qëllim blerjen e sendeve të nevojshme për çerdhen e qytetit.

















