Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në seancën e Kuvendit dënon aktin e sulmit të dielën, ndërsa theksoi se Kosova me këtë rast u përball me një sulm terrorist diversant, të orekstruar nga shteti serb, raporton InLajmi.
Ndërsa Kosova u përballua me sulmin diversant, Krasniq tha se tani nuk kemi kohë për beteja politike të brendshme , sepse kemi një temë më të rëndësishme e ajo është Republika e Kosovës.
“E, Kosova, kolegë të nderuar, sot është nën sulm dhe ne, të gjithë, pa përjashtim, duhet të jemi në krye të detyrave dhe përgjegjësive tona. Mposhtja e grupit terroristë në Banjskë nuk është përfundimi i qëllimeve dhe synimeve të Serbisë karshi Kosovës që është destabilizimi i skajshëm i saj”,tha Krasniqi.
Tutje ka shtuar ai se është krejtësisht e qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist mbi Republikën e Kosovës adresën kryesore e ka në Beograd.
“Konfirmimi i përfshirjes së Milan Radojçiqit në këtë aksion, armatimi i sofistikuar dhe i shumtë i terroristëve, strehimi i tyre në Serbi pas sulmit dhe lartësimi i tyre si heronjë nga institucionet zyrtare të Beogradit, përfshirë shpalljen e ditës së sotme si ditë zie për ta tregojnë për lidhjen e fortë të këtij grupi terrorist me shtetin e Serbisë”, theksoi Krasniqi.
Ndërkohë Krasniqi tha se është tejet e rëndësishme që Kosova të kërkojë ekstradimin e terroristëve të cilët planifikuan dhe realizuan sulmin terrorist mbi shtetin tonë.
Ndërsa mendon për ekstradimin e terroristëve serbë, Krasniqi kërkoi mbështetjen e plotë të aleatëve tanë ndërkombëtarë, të cilët duhet të rrisin presionin mbi Serbinë për t’i dorëzuar ata.
“Dorëzimi i terroristëve nga ana e shtetit serb, me në krye kriminelin Millan Radojçiq tek autoritetet kosovare duhet të jetë hapi i parë në rrugën përpara. Ata duhet të marrin dënimin e merituar për krimin që kanë realizuar në Kosovë. Heroi ynë i rënë, rreshteri Afrim Bunjaku, meriton drejtësi dhe është detyra jonë morale të sigurojmë që përgjegjësit të përballen me pasojat”, u shpreh lideri i PDK-së.
Ai theksoi gjithashtu se interesi i PDK-së në periudha sfiduese kur është cënuar integriteti territorial, është i pari nacional i vendit është dhe do të mbetet mbi të gjitha.
“Si PDK, i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë të gjitha institucioneve të sigurisë në përballje me këtë situatë. Objektivi ynë është të mbrojmë atdheun tonë dhe të garantojmë sigurinë e çdo qytetari kosovar – pa dallim feje apo etnie. Prandaj, në këtë periudhë, është thelbësore që të gjithë faktorët politikë, posaçërisht ata shqiptarë, të lënë mënjanë mosmarrëveshjet dhe të qëndrojnë së bashku në mbështetje të vendit tonë”, theksoi Krasniqi.
Krasniqi u ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të nisë një hetim ndërkombëtar emergjent për të vërtetuar përfshirjen e shtetit serb në sulmin terrorist mbi Kosovën. Ne tashmë jemi të bindur, por duam që me fakte të bindet edhe bashkësia ndërkombëtare.
“Pa u zbardhur e vërteta e plotë e këtij rasti dhe Serbia të marrë dënimin e merituar, Serbia nuk mund të jetë palë as e dashur dhe as e besuar për asnjë lloj procesi përpara. Është jetike që Bashkësia Ndërkombëtare të njohë agresionin e vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës, pasi kjo po vazhdon të cenoj integritetin dhe sovranitetin tonë territorial” , theksoi Krasniqi.