Shtetet e Bashkuara kanë arritur në përfundimin se sulmi i fundjavës nga e dyshuara milicia serbe në veri të Kosovës, duke lënë të vdekur një polic dhe tre persona të armatosur, kishte për qëllim destabilizimin e rajonit dhe po paralajmëron për përshkallëzim të mundshëm të mëtejshëm midis armiqve të vjetër.
“Ne e dimë se ishte i koordinuar dhe i sofistikuar”, tha ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier për Politico.eu, duke shtuar se personat e armatosur dukej se kishin pasur stërvitje ushtarake.
“Sasia e armëve sugjeron se kjo ishte serioze, me një plan për të destabilizuar sigurinë në rajon”, shtoi ai.
Ky medium citon Policinë e Kosovës se një grup prej rreth 30 serbësh të armatosur rëndë i zunë pritë një patrulle policie herët të dielën, duke vrarë një oficer dhe duke plagosur një tjetër, përpara se të iknin dhe të strehoheshin në një manastir ortodoks aty pranë. 3 personat e armatosur u vranë në një shkëmbim zjarri me policinë dhe 2 u arrestuan. Shumica e të armatosurve serbë arritën të dilnin fshehurazi nga manastiri dhe të arratiseshin në këmbë, thanë autoritetet e Kosovës.
Zyrtarët perëndimorë deklaruan se incidenti reflektoi tensione të shtuara gjeopolitike në Ballkan, pasi Rusia, e frustruar nga mbështetja e fortë e Evropës për Ukrainën, përpiqet të përdorë ndikimin e saj me aleatët në Serbi dhe gjetkë për të nxitur tensionet, veçanërisht në Bosnje dhe Kosovë.
Hovenier tha se SHBA-të duhet të përcaktojnë ende nëse Serbia ishte përgjegjëse për pritën, siç pretendon Kosova, por shtoi se pajisjet e konfiskuara nga autoritetet, që përfshinin raketahedhës, mina dhe një transportues të blinduar të personelit, ishin të “gradës ushtarake të padisponueshme për qytetarin e zakonshëm”.
Ai shtoi se SHBA-të nuk kishin arsye të dyshonin se armët dhe pajisjet e tjera të paraqitura nga policia e Kosovës në një konferencë për shtyp të hënën nuk ishin ato që u gjetën në vendin e ngjarjes.
“Njerëzit që ne i mbajmë më të përgjegjshëm janë njerëzit që qëlluan kundër oficerit të policisë së Kosovës” tha Hovenier.
Është e paqartë nëse personat e armatosur kërkuan konfrontimin me policinë e Kosovës të dielën apo po planifikonin një operacion afatgjatë dhe u përplasën me një skuadër të policisë së Kosovës, thanë zyrtarët perëndimorë.
Pavarësisht mosbesimit të thellë midis 2 palëve, Hovenier tha se përpjekjet perëndimore për të arritur paqen duhet të vazhdojnë, transmeton Klankosova.tv.
Duke e quajtur incidentin “jashtëzakonisht të pafat”, ai deklaroi se shpresonte që do të “siguronte stimuj si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë për të ndjekur marrëdhënie të mira fqinjësore”.