Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim lamtumirës Ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kollyn, me rastin e përfundimit të mandatit të tij diplomatik në vendin tonë.
Bëhet e ditur se Konjufca i shprehu mirënjohje Kollyt për përkushtimin e tij në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Zvicrës, si dhe i dëshiroi suksese në angazhimet e radhës.
Ai po ashtu i cilësoi të shkëlqyera raportet ndërshtetërore, duke shprehur gatishmërinë për forcimin dhe zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë në fusha me interes të përbashkët.
“Zvicra ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e institucioneve tona shtetërore”, theksoi kryetari i Kuvendit, teksa shprehu mirënjohje për mbështetjen e gjithanshme të këtij shteti mik ndaj Republikës së Kosovës në proceset integruese.
Duke e falënderuar Konjufcën për mikpritjen, Kolly i vlerësoi si të veçanta raportet mes popujve dhe dy shteteve tona./InLajmi/