Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në mbledhjen komomorative në nderim të policit të rënë në veri të dielën tha se me vrasjen e policit Afrim Bunjaku, Kosova ka humbur një njeri dhe polic të mrekullueshëm, raporton InLajmi.
Ministri Sveçla, theksoi gjithashtu se përveç dhimbjes, ndjen edhe krenari për Bunjakun që ishte pjesëtar i policisë, por tha ai se në një ditë si kjo, dhimbjen duhet ta kthejmë në forcë.
“Jam sot para jush me ndjenjën e dhimbjes që kisha edhe në mëngjesin kur pranova lajmin e hidhur. Kësaj dhimbjeje që po e ndjej po i shtohet edhe krenaria që e kishim fatin ta kemi reshterin Bunjaku në radhët tona”, tha ministri.
Sipas tij, guximi i pashembullt i tij duhet të jetë forcë që të punojmë për paqen e sigurinë
“Guximi i pashembullt që këtë rrugë që e hapi që 22 vite është dhe duhet të jetë pasqyrë se duhet të punojmë më shumë për paqen dhe sigurinë. Dje humbëm një njeri të mirë, baba të mrekullueshëm, një polic të mrekullueshëm që u vra në luftën për Kosovën. Në ditë si këto dhimbjen duhet ta kthejmë në forcë, Kosovën ta bëjmë vendin që ai ka dashur”, tha ai.