Këshilltarja e Kurtit për Luginën e Preshevës, Ardita Sinani, reagon ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq në konferencë me gazetarë, ndërsa thekson se ishte një “aktrim i dobët nga ish ministri i propagandës së viteve të ’90- ta”, përcjell InLajmi.
Tutje theksoi Sinani, se në konferencë Vuçiq nuk sqaroi asgjë, vetëm mohoi përgjegjësinë e Serbisë për gjithçka që ndodhi të dielën në Kosovë.
Sipas saj, presidenti serb mohoi edhe këtë përgjegjësi, sikur që ka mohuar deri tani edhe krimet e bëra në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë.
Postimi i plotë i saj:
𝐑𝐞𝐩𝐫𝐢𝐳𝐢𝐦 𝐪ë 𝐝ë𝐬𝐡𝐦𝐨𝐧 𝐞𝐝𝐡𝐞 𝐥𝐨𝐠𝐣𝐢𝐤ë𝐧 𝐞 𝐧𝐠𝐣𝐚𝐬𝐡𝐦𝐞 𝐪𝐞𝐯𝐞𝐫𝐢𝐬ë𝐬𝐞 𝐭ë 𝐚𝐭𝐲𝐫𝐞 𝐯𝐢𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐭ë 𝐤𝐨𝐛𝐬𝐡𝐦𝐞.
👇
Konferenca për media e paralajmëruar gjatë tërë ditës e presidentit të Serbisë, u mbajt pa ndonjë sqarim, pa ndonjë konkluzion.
Gjithçka pamë në këtë dalje publike të Aleksandar Vuçiq ishte një aktrim i dobët nga ish ministri i propagandës së viteve të ’90 – ta.
Të vetmën gjë që bëri në këtë konferencë me pyetje të parapërgaditura nga mediat e kontrolluara, ishte mohimi i përgjegjësisë dhe distancimi nga përgjegjësia e Serbisë për gjithçka që ndodhi sot në Kosovë.
Ashtu siç deri më tani mohoi krimet e bëra në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë.
Por, në tentativën për të mohuar përfshirjen e strukturave shtetërore në sulmin e sotëm terrorist në Kosovë, Vuçiq tha se të përfshirët sot janë qytetarët serb të Kosovës.
I zënë ngushtë për atë që e panë tërë bota se në këtë sulm terrorist ndaj shtetit të Kosovës është e përfshirë kokë e këmbë shteti serb, ai tradhtoi qytetarët serb në Kosovë.
Qytetarë për të cilët derdh lot krokodili për kinse shprehje kujdesi për ta.
E në fakt, u faktua që kanë qenë e janë vetëm vegël lehtësisht e (keq)përdorur nga politikat shoviniste në Beograd.
Një reprizim i shëmtuar i viteve të ’90-ta me të cilën tërë bota e njohu Serbinë.
Reprizim që dëshmon edhe logjikën e ngjashme qeverisëse të atyre viteve të kobshme.