Në nderim për policin Afrim Bunjaku i cili u vra të dielën në krye të detyrë në fshatin Banjskë të Zveçanit, presidentja e Vjosa Osmani ditën e hënë, 25 shtator e shpalli ditë zie shtetërore, shkruan InLajmi.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e hënë, 25 shtator 2023, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të vendit. Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së hënë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Kujtojmë se në Zveçan, të dielën disa persona të armatosur kanë sulmuar policinë e Kosovës, duke e lënë të vdekur një polic, një të plagosur dhe 2 të lënduar.
Për këtë rast, në prangat e policisë kanë rënë 6 persona.
Policia e Kosovës është sulmuar me arsenal armësh, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur.
Sulmet ndaj policisë kanë ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së dielës (24 shtator), rreth orës 03:00 në fshatin Bajnskë.