Lufta e Ukrainës është një luftë e gjithëkujt që aspiron të jetojë në një botë ku kombet janë të lira e të barabarta, ku tërësia territoriale është e patjetërsueshme”. Kështu u shpreh kryeministri shqiptar Edi Rama, në fjalën e mbajtur në cilësinë e drejtuesit të debatit të Hapur të Nivelit të lartë, në Këshillin e Sigurimit në OKB. Përfaqësuesve të 50 vendeve anëtare Rama iu drejtua duke thënë se “do të ishte një fyerje për inteligjencën e kësaj organizate, nëse nuk pranojmë njëzëri dhe themi me zë të lartë kush është agresori dhe viktima e agresionit.”
Kryeministri po ashtu theksoi se një agresion në zemër të Europës nuk mund të jetë vetëm problem i Europës. “Ndërkohë që flasim më shumë se 26 mijë civilë kanë vdekur, nesër numri do të jetë më i lartë dhe do të rritet për çdo ditë që kalon aq kohë sa vazhdon kjo luftë”, shtoi ai.
Duke sjellë në vëmendje se për shumë ngjante e paimagjinueshme një luftë në shekullin e 21 në zemër të Europës, Rama tha: “Duke pasur parasysh vringëllimën e pajustifikuar bërthamore, që vjen hera herës nga nivele të ndryshme të Kremlinit, kemi të drejtë të trembemi që një ditë, larg qoftë, kjo çmenduri të shndërrohet në diçka edhe më të keqe. E mos harroni, që është po aq e paimagjinueshme sot sa ishte një luftë e tillë dje”.




















