Shtetet e Bashkuara kanë besim të plotë në Bashkimin Evropian sa i përket ndërmjetësimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Kështu deklaroi ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, gjatë një fjalimi të mbajtur në edicionin e 2-të të Samitit të Paqes dhe Demokracisë që po mbahet në Prishtinë.
“SHBA-ja ka besim të plotë në BE-në në ndërmjetësimin e saj të dialogut, SHBA-ja ka besim të plotë në përfaqësuesin e lartë (të BE-së, Josep) Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm [për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav) Lajçak, si zbatues objektivë të kësaj politike”, tha Hovenier.
Deklarata e Hovenierit vjen 2 ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, drejtoi akuza ndaj Lajçakut, që e cilësoi si ndërmjetësues të njëanshëm.
Kurti tha se gjatë rundit të fundit të dialogut të mbajtur në Bruksel më 14 shtator dukej që kishte një koordinim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Lajçakut për, siç tha ai, krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.
Ai tha se në këtë takim, ku kryeministri kosovar paraqiti një plan për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit që tha se u refuzua nga BE-ja dhe Serbia, Lajçaku “u pozicionua” kundër Kosovës.
“Është e rëndësishme që të gjithë aktorët në këtë operacion, në këtë proces, të pranojnë procesin në të cilin janë dhe të luajnë poker me letrat që u kanë rënë. Dhe të kenë në mendje këtë vizion, puna për normalizimin e raporteve, për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe të Aneksit, nga të dyja palët, gjë që është pritja jonë, është rruga përpara. Kjo e sjell Kosovën më afër vizionit që ne ndajmë për integrimin e plotë në strukturat euro-atlantike”, tha Hovenier më 20 shtator, shkruan REL.
Bashkimi Evropian më 19 shtator tha se nuk komenton deklaratat e Kurtit, që sipas bllokut përmbajnë “akuza të pabaza”. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se Lajçaku dhe Borrelli ndërmjetësuesit evropianë të dialogut kanë mbështeten e shteteve anëtare të BE-së.