Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare Enver Hasani në një intervistë për Gazetën Express ka komentuar përplasjet në relacionin Kosovë-BE dhe refuzimin e Kryeministrit Kurti për ta pranuar Propozimin e Borrell për implementimin e marrëveshjes.
Hasani thotë se Përfaqësuesi i Lartë ka bërë diçka që është në përputhje me mandatin e tij, për çka ka pasur pajtim të palëve në Ohër. Sipas Hasanit, ajo që po bën Kryeministri është rezistencë e njëanshme dhe papranueshme. Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese thotë se refuzimi i planit të implementimin që tani u bë pozicion zyrtar i BE-së, do t’i sjellë Kosovës sanksione të reja.
Megjithatë, Hasani në gjithë këtë sheh një lojë të Kurtit, që i dedikohet votuesve të tij Kurti po zbaton gradualisht zotimet që ka marrë përsipër në emër të Kosovës, sado fatale që janë.
I pyetur për deklarata e kryeministrit Albin Kurti ndaj emisarit Lajçak , Hasani tha se ajo çka po bën Lajçak është vetëm zbatim i përpikët i Marrëveshjeve në Bruksel e Ohër.
“Ajo që po bën Miroslav Lajçak nuk është asgjë tjetër veçse zbatim i përpikët i Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, duke u bazuar në instrumentin për implementim të saj që u arrit në Ohër mes palëve. Sa i përket mënyrës së zbatimit të zotimeve që i mori përsipër në Bruksel zoti Kurti, më lejoni të kujtoj se në Ohër ai u pajtua për sa vijon: një, që mos të ketë renditje në zbatim të dispozitave dhe zotimeve nga Marrëveshja e Brukselit/Ohrit; 2, që për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit do të themelohet një trup i BE-së që bën interpretimin përfundimtar të saj; dhe, së fundit, 3, që progresi për zbatim të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit të raportohet në strukturat e BE-së me qëllim të vlerësimit të arritjeve të palëve në rrugëtimin e tyre drejtë integrimit në BE”, tha Hasani.