Takimi i 14 shtatorit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, rezultoi i pasuksesshëm.
Pas disa orësh takime të ndara me diplomatët e BE-së, Josep Borrell e Miroslav Lajçak, dhe pas një takimi trepalësh, Kurti dhe Vuçiq nuk kanë arritur të pajtohen për zbatimin e marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi.
Për mbarëvajtjen e takimit të 14 shtatorit në Bruksel, sot do të mbajë një konferencë për media kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.
E përfundimi pa rezultat takimit të 14 shtatorit ka ngritur pikëpyetje të reja për të ardhmen e procesit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes 2 vendeve.
Madje si rezultat i kësaj, po kërkohet që Shtetet e Bashkuara të përfshihen direkt në procesin e dialogut.
Eksperti ndërkombëtar i integrimit evropian, Johann Weick e sheh të domosdoshme përfshirjen direket të SHBA-së.
“Nuk ka asnjë përparim, ka një lloj vështrimi të situatës, kështu që në një moment duket se Bashkimi Evropian nuk është në gjendje të dialogojë, të mbajë dialogun në drejtimin e duhur. Kështu që ndoshta është koha për të përfshirë një partner tjetër, le të themi Shtetet e Bashkuara që janë ndoshta një partner më neutral dhe më i besueshëm sepse SHBA mund të japë një sinjal të fortë”, shprehet Weick.
Në thelb, sipas Weick, BE-ja nuk e kupton plotësisht natyrën e mosmarrëveshjeve mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.
Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se ka pritur rezultate më konkrete, gjatë takimit të fundit mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.
“Siç kemi deklaruar tashmë në komentet e shtypit, ne shpresonim për një rezultat më të mirë. Gjendja aktuale në dialog së bashku me situatën e tensionuar në veri të Kosovës do të jenë objekt i diskutimeve të ardhshme strategjike me partnerët tanë amerikanë dhe evropianë për të përcaktuar hapat tanë të ardhshëm”, tha ai.
Lajçak tregoi se pas takimit të nivelit të lartë, iu është drejtuar ambasadorëve të vendeve anëtare BE-së, në Bruksel për detajet e takimit mes Kurtit dhe Vuçiqit.
Kryeministri Albin Kurti të enjten në Bruksel, ka thënë se takimi s’ka pasur asnjë rezultat për shkak të kushtëzimit të Serbisë për themelimin e Asociacionit, para zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.
Kurti ka pohuar disa herë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk mund të jetë “parakusht” për zbatimin e marrëveshjes, dhe se çështja duhet të zgjidhet në kuadër të dhjetë pikave të Marrëveshjes bazë, të cilat të 2 palët i kanë pranuar në fund të shkurtit, me propozimin e BE-së.
E presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se bisedimet me Kurtin përfunduan pa sukses, pasi Kurti, sipas tij, “e refuzoi propozimin evropian”.