Drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, tha se edhe pse bisedimet në Bruksel dështuan, Beogradi së paku mund të jetë pak i kënaqur, sepse në raportet pas takimit shkruhej se Beogradi nuk ka faj, ka treguar konstruktivitet dhe se Albin Kurti ishte ai për të cilin dialogu dështoi, transmeton InLajmi.
“Dje në Bruksel u përpoqëm të ruanim paqen dhe jetën e njerëzve, patëm një ditë të vështirë. Nuk ka negociata teknike në Bruksel, por negociata në kushte të pamundura. Vuçiq po flet me Kurtin, i cili refuzon gjithçka”, tha Petkoviq për RTS, duke folur për dialogun e djeshëm mes Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel.
Petkoviq ka theksuar se shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrel, ka thënë qartë se Kurti nuk është i gatshëm të formojë Asociacionin.
“Beogradi është një palë e prirur për kompromis, por BE-ja gjithmonë pas dialogut ka thënë se të 2 palët duhet të shkojnë drejt një kompromisi, por tani BE-ja ka thënë për herë të parë se Kurti është ai që ka bërë që dialogu të dështojë “, tha Petkoviq.
Mirëpo, siç shton ai, Beogradi pas bisedimeve të djeshme së paku ka mundur të jetë pak i kënaqur sepse në raportet pas takimit është shkruar se Beogradi nuk ka faj, ka treguar konstruktivitet dhe në anën tjetër kemi Kurtin.
“Këto negociata nuk kanë mbaruar, ne po luftojmë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”. BE-ja tha se cila anë është problemi, sa herë jemi kthyer nga Brukseli dhe e kemi dëgjuar atë deklaratë për 2 palët”, ka kujtuar Petkoviq, duke shtuar se kompromisi për Kosovën do të thotë jetë dhe se duhet të respektohen të gjitha marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015./InLajmi/