Autoritetet në Derna bllokuan qasjen e civilëve në qytetin e shkatërruar lindor. Në Derna mund të hyjnë vetëm ekipet e kërkimit për viktimat e ngjarjes që ekspertë libianë e krahasojnë me bombat atomike.
“Për nga fuqia do të ishte më e madhe se sa ajo e bombës që ka goditur Nagasakin, prandaj duket si sulm meteori apo bombë atomike”, thotë drejtori i institutit Sadek, Anas al Gomati.
Vlerësohet se numri i viktimave ka kaluar 11.000, mirëpo për dhjetë mijë të tjerë nuk dihet asgjë dhe droja se shumë prej tyre mund të mos kenë mbijetuar është e madhe.
Organizata botërore Metereologjike e OKB-së tha se shumica e rasteve të vdekjeve ka mundur të shmangej, sikur të ishin lëshuar sistemet e paralajmërimit. Studime të viteve të kaluara, kishin nënvizuar rreziqet nga përmbytjet dhe kishin konstatuar se pendat kanë nevojë për mirëmbajtje periodike.
Ndërkohë, ekspertët e klimës i shohin përmbytjet, në ndërlidhjen midis keqmenaxhimit dhe ndryshimeve klimatike.
“Katastrofa e shembjes së pendave ndodhi si pasojë e keqmenaxhimit afatgjatë, por nuk do të ndodhte pa rënien ekstreme të shiut që vjen nga ngjarjet e ngrohjes globale”, tha për AP, shefi i analizave klimatike, Bill Her,shkruan Radio Kosova.
Në disa zona bregdetare të Libisë, kanë rënë mbi 400 milimetra shi, brenda 24 orëve. Zakonisht atje bien vetëm 1.5 milimetra gjatë tërë muajit shtator.