Ka përfunduar takimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Bruksel, me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punë të Jashtme, Josep Borrel dhe të dërguarit special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak, transmeton InLajmi.
Menjëherë pas takimit, Vuçiq tha se takimet kanë përfunduar pa sukses.
“Bisedimet përfunduan pa sukses në drejtim të gjetjes së një rruge të qartë drejt normalizimit të marrëdhënieve. Të gjithë i kishin propozimet e veta, në fund ne si Serbi e pranuam propozimin e kompromisit të BE-së, Kurti nuk deshi dhe takimi përfundoi”, tha Vuçiq pas takimit.
I pyetur nga një gazetar se çfarë do të thotë propozimi kompromis i BE-së që pranoi Serbia, Vuçiq tha se “fillimisht duhej të diskutohej formimi i Asociacionit për të parë nëse ka një proces të besueshëm apo jo, nëse ka, ne do të fillojmë të punojmë paralelisht me detyrimet tona”, shkruan Danas.
Kujtojmë se tema kryesore e bisedimeve të sotme ishte zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën Kurti dhe Vuçiq ranë dakord më 18 mars në Ohër.