Na ndan vetëm një ditë nga takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Ky takim i tyre vjen pas më shumë se 4 muaj.
Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 2 maj ,9 nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe.
Nga ajo kohë, mes 2 vendeve ka pasur një sërë tensionesh dhe krizash.
Që do të ketë lëvizje gjatë këtij takimi e beson deputetja e grupit multietnik, Duda Balje.
Deputetja Balje për takimin e 14 shtatorit: Është koha për të bërë lëvizje
Deputetja Duda Balje, në një intervistë për Front Online ka thënë se në këtë takim mes Kurtit dhe Vuçiq do të ndodhë diçka.
“Po unë definitivit jam duke menduar se tash duhet me ndodhë diçka më konkrete. Edhe një anë edhe ana tjetër kanë dal me mendime personale në emër të shtetit, por unë mendoj se është koha për të bërë lëvizje në dialog. Çfarë lloj lëvizje do të bëjnë nuk e di, por do të ndodhë diçka”, ka deklaruar .
E, pyetur se a do të ketë dakordim për mbajtjen e zgjedhjeve në veri dhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Balje ka dhënë këtë përgjigje.
“Për Asociacion nuk besoj se do të jetë aq lehtë, a për zgjedhje po, zgjedhjet do të ndodhin. Unë mendoj po”, është shprehur shkurt ajo.
Balje: Do të votoj përsëri kundër Kodit Civil, Qeveria nuk ka ndryshuar asgjë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu javën e kaluar deklaroi se Kodi Civil do të hidhet përsëri këtë vit në votim.
Madje, ajo u shpreh optimiste që edhe deputetët që kanë qenë kundër do të votojnë pro Kodit Civil.
Deputetja e grupit multietnik, njëherit kryetare Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje, thotë për Front Online se nuk ka ndryshuar qëndrim, dhe përsëri do të votoj kundër.
“Unë kam qenë kundër, por në fakt unë nuk jam kundër Kodit Civil, jam kundër një neni që e ka ky kod dhe ne shumë kemi fol për këtë. Unë nuk ndryshoj mendim, dhe deri dikund jam shumë sigurt se as deputetët brenda Vetëvendosjes që kanë votu kundër, do të votojnë prapë kundër”, ka thënë ajo.
Deputetja Balje, thotë se Qeveria nuk ka ndryshuar asgjë sa i përket projektligjit për Kodin Civil.
“Qeveria asgjë nuk ka ndryshuar do të thotë praktikisht kemi gjendjen e njëjtë dhe unë jam prapë kundër”, ka shtuar ajo.
Ajo, deklaron se nëse Qeveria beson se do të kalojë atëherë le ta sjellë në Kuvend.
“Nuk e kanë respektuar mendimin të cilin ne e kemi. Ne në fakt për këtë nen dikund kemi kërkuar me bë edhe ligjin veçantë për me hjek prej Kodit Civil pasi që për çdo shtet Kodi Civil është një ligj shumë i rëndësishëm dhe me votu Kodin Civil pa këto nene që i kemi kundërshtuar. Qeveria nuk mendon njëjtë si ne, dhe tash jemi ku jemi, ne jemi prapë kundër. Nëse Qeveria e ka mat veten, nëse mendon se ka vota mjaftueshëm le ta vendosin në rendin e ditës për votim, kalon nuk kalon varet prej disponimit të deputetëve dhe vendimin e deputetëve për votim”, është shprehur Duda Balje.
PDK e AAK s’do të votojnë asnjë ligj në Kuvend, Balje tregon se çfarë do të bëj grupi multietnik
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës edhe njëherë e kanë konfirmuar se nuk do të votojnë asnjë ligj që do të vie në Kuvend.
E, vendimin e tyre deputetja Duda Balje, e sheh si shenj revolte ndaj Qeverisë.
“Po, unë këtë e shoh si një shenj revolte pra ata po e bëjnë këtë si revolt. Është e drejtë e opozitës, ata kanë të drejtë ta bëjnë këtë”, ka thënë ajo.
Kurse, ka pasur edhe një përgjigje sa i përket pozicionit të grupi multietnik.
“E, tash varet krejt prej votave të cilat tash ne i kemi si koalicion qeveritar brenda do të thotë Vetëvendosje bashkë me grupin multietnik. Nëse ne krejt jemi bashkë do të kalojnë ligjet të cilët u duhen 2/3 e votave, jo për marrëveshje ndërkombëtare sepse për marrëveshje ndërkombëtare nevojiten shumë më shumë vota edhe pa opozitën ne nuk jemi në gjendje për të votuar, por votat të cilat duhet ne jemi këtu ku jemi, edhe nëse jemi të gjithë për, secili ligj do të kalojë”, ka thënë ndër të tjera deputetja.