Pjesëtarë të Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë kanë përfunduar bastisjen në banesën e dëshmorëve Bahri e Fahri Fazliu, ndërsa avokati i i familjes, Artan Qerkini para mediave konfirmoi se zyrtarët e Speciales kanë marrë disa dokumente, transmeton InLajmi.
Ai i ka quajtur të kota bastisjet e EULEX-it në banesën e familjarëve të dëshmorëve Bahri e Fahri Fazliu, pasi sipas tij nuk është sekuestruar asnjë provë, përveç disa dokumenteve të cilat kanë qenë publike.
Ndërsa, për arsyen e bastisjes, Qerkini ka thënë se nuk është bërë e ditur, vetëm se është bërë “për nevoja të procedurave nga Dhomat e Specializuara”.
“Siç është raportuar nga mediet, Dhomat e Specializuara kanë realizuar një bastisje në shtëpinë e heronjve kombëtarë. Janë munduar kinse të sekuestrojnë prova për procedura të Dhomave të Specializuara. Ka qenë një bastisje e kotë dhe humbje kohe”, u shpreh Qerkini.
Tutje ka shtuar avokati Qerkini se gjykatat duhet të jetë më të kujdesshme kur lëshon urdhërin për bastisje.
“Gjykata duhet të jetë më e kujdesshme kur lëshon urdhra për bastisje sepse cenohet privatësia. Nuk kanë sekuestruar asnjë provë. Rasti nuk është bërë i ditur, vetëm është thënë se për nevoja të procedurave nga Dhomat e Specializuara.Nuk kanë kërkuar asgjë specifike, kanë marrë disa dokumente të cilat janë publike, pra nuk ka pasur nevojë të bastiset fare. Prandaj thashë që bastisja ka qenë e kotë”,ka thënë avokati Qerkini/InLajmi/.