Është publikuar në fletoren zyrtare marrëveshja e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Kosovës, më 5-korrik 2023 në Tiranë dhe që synon lehtësimin e procedurave doganore për inspektimin e produkteve me origjinë jo shtazore. Ajo mu miratua në mbledhjen e fundit të qeverisë shqiptare në 30 gusht.
Marrëveshja, e cila ka një kohëzgjatje prej 5 vitesh dhe që mund të ripërsëritet, ka për qëllim promovimin e tregtisë, heqjen e barrierave dhe lehtësimin e procedurave të kontrollit, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe qeveria e Republikës së Kosovës, me synim forcimin dhe shtrirjen e bashkëpunimit ndërmjet 2 vendeve, si dhe zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë.
Sipas marrëveshjes, “palët bien dakord se kontrolli në import, transit dhe eksport të produkteve ushqimore me origjinë jo shtazore, mund të kryhet në Pikën e Inspektimit Kufitar ose në doganën më të afërt të vendit të destinacionit, sipas kërkesës së subjektit. Autoritetet përgjegjëse për sigurinë ushqimore të secilës palë, do të lejojnë importin dhe eksportin, shoqëruar me certifikata të njohura ose raport-analiza apo dokument tjetër të përshtatshëm, të lëshuar sipas legjislacionit të secilës palë, që garanton sigurinë ushqimore”.
Po ashtu, sipas marrëveshjes, “autoritetet kompetente të secilës palë do të njoftojnë njëra-tjetrën për planet e kontrollit me bazë risku dhe aktet rregullatore që miratohen në fushën e sigurisë ushqimore. Dhe, kontrollet e ngarkesave të ushqimeve me origjinë jo shtazore, gjatë importit dhe eksportit, do të realizohen bazuar mbi analiza risku”.
Për zbatimin e kësaj marrëveshje, institucionet respektive të Bujqësisë, me qëllim zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë ushqimore, do të shkëmbejnë publikime profesionale dhe organizojnë trajnime të përbashkëta.
Në marrëveshje është parashikuar dhe mundësia e të paturit mosmarrëveshje. Por për këtë do të kujdesen përfaqësuesit e autoriteteve kompetente, Ministria e Bujqësisë së Shqipërisë dhe ajo e Kosovës.
Në fund të marrëveshjes, saktësohet se kohëzgjatja e kësaj marrëveshjeje është për 5 vjet, që nga momenti i nënshkrimit të saj. Dhe bëhet me dije se kjo marrëveshje, do të zgjatet automatikisht për një periudhë tjetër prej 5 vitesh, përveç kur njëra prej Palëve kërkon ndërprerjen e saj me shkrim nëpërmjet rrugëve diplomatike, të paktën 3 muaj para përfundimit të periudhës përkatëse të vlefshmërisë. Kjo marrëveshje mund të ndryshohet me miratimin reciprok me shkrim të Palëve, në çdo kohë.
Marrëveshja u miratua në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave më 30 gusht 2023. Kjo marrëveshje është një tjetër marrëveshje në morinë e marrëveshjeve mes 2 vendeve për të forcuar edhe më shumë bashkëpunimin ekonomik.
Sipas shifrave, shkëmbimet tregtare mes dy vendeve gjatë 7-mujorit të këtij viti llogariten mbi 30 miliardë lekë. Konkretisht eksportet drejt Kosovës gjatë periudhës janar-korrik ishin 23.7 miliardë lekë. Importet për 7-mujorin llogaritën 6.4 miliardë lekë, transmeton ATSH.
Ndërkohë grupet e punës nga të dy vendet po punojnë për kryerjen e një analize për bashkimin doganor, në mënyrë që të hiqen të gjitha barrierat e burokracitë mes dy vendeve dhe që bashkëpunimi tregtar të mos ketë asnjë pengesë.