Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka bërë të ditur se e kanë hapur thirrjen për subvencionim me 70 euro të familjeve të kryeqytetit për regjistrim të fëmijëve në çerdhe private, raporton InLajmi.
Musmurati në një konferencë për media është shprehur se kjo është një metodë e re dhe alternative që të rrisin përfshirjen sa më të madhe të fëmijëve të Prishtinës në edukim të hershëm, që asnjë fëmijë të mos mbetet mbrapa.
Ndryshe ajo ka kujtuar se sot kur edhe fillon viti i ri shkollor në disa shkolla të kryeqytetit nuk kanë pasur fare tekste shkollore, ndërsa ka njoftuar edhe për gjendjen e shkollave ku disa ende janë në rinovim.
“Mësimi veçse ka filluar në të gjitha shkollat e komunës së Prishtinës. Stafi veçse ka shkuar po marrim raporte. Deri më tani ka shumë shkolla që nuk kanë fare libra. Gjatë ditës do të kemi një raport të plotë në lidhje me furnizimin me libra”, u shpreh Musmurati.
Drejtoresha Musmurati, bëri të ditur se në tërësi në Prishtinë janë rinovuar 22 shkolla. Ndërsa 2 gjimnaze, tha se i kanë bartur në një objekt tjetër deri më datë 15 shtator.
“Janë 5 shkolla në tërësi që janë në rinovim të thellë, ndërsa gjithsej i kemi rinovuar 22 shkolla. Janë shkolla ‘Meto Bajraktari’ dhe ‘Gjergj Fishta’ që janë duke mbajtur mësim me orar të shkurtuar dhe pjesë të shkollës i kemi izoluar që të mos pengojnë procesin mësimor nga e hëna presim që gjithçka t’i kthehet normalitetit. I kemi dy gjimnaze që i kemi alokuar në vende të ndryshme që të mbajnë mësimin deri më datën 15 shtator kur do të përfundojnë renovimet përfundimtare dhe ata pastaj do të vendosin në objektet e tyre. Bëhet fjala për shkollën e mesme profesionale ‘Hoxhe Kadri Prishtina’ si dhe shkollën ‘Gjin Gazulli’ të cilët po mbajnë mësim në gjimnazin ‘Ahmet Gashi’ dhe ‘Eqrem Qabej’”, tha Musmurati.
