Meriton Korenica ka zhvilluar ndeshjen e fundit me Ballkanin ndaj Bate Borisov (1-0), duke i ndihmuar skuadrës kosovare të shkojë në grupe për herë të dytë radhazi.
Mesfushori nga Rahoveci ka qenë pjesë e Ballkanit në tre vitet e fundit ku padyshim ishte ndër lojtarët kryesorë të ekipit nga Suhareka.
Por, ai karrierën do ta vazhdojë në skuadrën turke Manisa Football Club ku drejtor sportiv është Nderim Nexhipi.
Gjatë ditës së sotme Korenica do të prezantohet te Manisa pasi tanimë ka marrëveshje mes dy skuadrave si dhe të futbollistit me klubin turk, shkruan telegrafi.
26-vjeçari gjatë tre viteve qëndrim te Ballkani ka zhvilluar 130 ndeshje teksa ka shënuar 25 gola dhe ka asistuar në 20 të tjerë duke qenë një lider për skuadrën e Ilir Dajës.