Ish-luftëtari i UÇK-së, Zafir Berisha, ka deklaruar se Vetëvendosja ka përfshirë mbetjet e regjimit jugosllav dhe se kjo është diçka që ata kanë thënë edhe më herët.
Berisha ka theksuar pas Luftës së Kosovës, përplasja më e madhe politike ka qenë midis LDK-së dhe PDK-së, dhe vrasjet që kanë ndodhur janë shfrytëzuar, megjithëse ai është i sigurt se 99.99% e këtyre vrasjeve janë kryer nga Serbia.
Ai gjithashtu ka theksuar se mbetjet e regjimit jugosllav janë integruar me Vetëvendosjen pas daljes së kryeministrit Albin Kurti në skenën politike.
“Vetëvendosja e ka rrit zenitin kur ka futur në gjirin e saj mbetjet e regjimit jugosllav sepse e ka thënë edhe në raste të tjera…besoj i dini zhvillimet e pas luftës. Përplasja më e madhe për shumë vite ka qenë në mes LDK-së dhe PDK-së, gjithmonë janë përdorur vrasjet që 99.99 për qind jam i sigurt që i ka kryer Serbia por që për fatin e keq janë përdorur dhe manipuluar në rastet e gjana…kjo ka vazhduar gjithmonë dhe me një moment ka dal Albini dhe të gjitha mbetjet e regjimit jugosllav që ishin në LDK u rreshtuan me Albinin sepse ky doli me vija të kuqe për PDK ose partitë e dalura nga lufta”, ka deklaruar Berisha në emisionin Debat Plus.
Në përgjigje të këtyre deklaratave, analisti Dibran Hoxha kërkoi të bëjë pyetje mbi pozicionin e Berishës si ish-zëvendësministër i Punëve të Brendshme në kohën e Agim Veliut dhe koordinator për sigurinë kibernetike.
Hoxha vuri në dyshim njohuritë e tij në këtë fushë dhe e pyeti nëse ishte e nevojshme të merrte edhe një pozitë të re, ndonëse ai ishte edhe zëvendësministër.
Ky koment solli një përgjigje të fortë nga Berisha, i cili akuzoi Hoxhën duke i thënë se “është pjellë e Serbisë” dhe se ka motive personale në këtë çështje.
Hoxha tutje ka theksuar se Berisha nuk ka pasur njohuri të mjaftueshme për pozitën e koordinatorit dhe për sigurinë kibernetike, dhe për këtë arsye nuk duhet të kishte pranuar atë pozitë.