Ish-kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani ka akuzuar Serbinë se nuk ka zbatuar qëllimet thelbësore të marrëveshjeve, siç janë integrimi, rimëkëmbja e shpejtë ekonomike, kthimi i popullatës së zhvendosur dhe çmilitarizimi i rajonit nga ana e njësive speciale të sigurisë.
Sinani ka thënë se krahas obligimeve kushtetuese dhe ligjore, si dhe obligimeve të cilat imponohen nga marrëveshjet tanimë të njohura ndërkombëtare; Serbia ka marrë ndaj Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës edhe obligime të posaçme me 3 dokumente të veçanta, të cilat janë miratuar nga ana e qeverisë.
“21 vjet më vonë, në të gjitha institucionet që nuk janë nën kompetenca të Komunave (që janë në kompetenca të Qeverisë Republikane ose Administratës së Rajonit), numri i shqiptarëve është simbolik, e ka madje institucione ku nuk ka fare shqiptarë. Jo vetëm që nuk janë punësuar shqiptarët lokalë, por janë sjellë edhe serbë të rajoneve të tjera nga Serbia”, ka thënë ajo, përcjell Gazeta Express.
Sinani e cila tani është këshilltare e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ka theksuar se kjo është Serbia për pakicat e saj kombëtare.