Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka reaguar pas arrestimeve të sotme në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë lidhur me dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore, përcjell InLajmi.
Tahiri ka thënë se sot do të duhej të shkarkohej ministrja Rozeta Hajdari, pasi ky rast i abuzimit me financat shtetërore lidhet me emrin dhe nënshkrimin e saj.
Tahiri gjithashtu ka kërkuar hetim të plotë të rastit pa ndërhyrje.
Postimi i plotë i tij:
“Arrestimet e sotme vijnë si rezultat i punës së mediave dhe policisë së Kosovës. Andaj, në funksion të mundësimit të një hetimi të plotë dhe ku Qeveria nuk shihet si pengesë, po sot do të duhej të kishim shkarkim të ministres, Hajdari. Fundja, i gjithë ky rast i abuzimit me mjete shtetërore dhe me ligjin, asocohet me emrin dhe nënshkrimin e saj, përderisa sekseri për këtë skandal korruptiv u lidh drejtpërdrejt me emrin e kryeministrit Kurtit”/InLajmi/