Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari, në një konferencë për media ka pranuar se një pjesë e totalit të furnizimit të vitit 2022, 3 përqind sipas saj, është vonuar, raporton InLajmi.
Minstrja Hajdari ka thënë se më 8 qershor të këtij viti është njoftuar avokatura shtetërore.
Megjithatë, ajo është shprehur e bindur se furnizimi në Rezervat Shtetërore është kryer në pajtim me ligjet në fuqi.
“Më lejoni të ju informoj se nga kontratat për furnizim për blerjen e rezervave shtetërore për vitin 2022, ndonëse se do të kisha dashur të ndaj më shumë me ju, për shkak të informacioneve të klasifikuara, ju informoj se vetëm 3 përqind të totalit të furnizimit kemi pasur vonesa, pra gjatë vitit 2022, për cilat vonesa me datë 8 qershor 2023 është njoftuar edhe avokatura shtetërore nga zëvendëssekretari ynë për inicim të procedurës gjyqësore, ndërsa për këtë vit, MINT është e përkushtuar të vazhdojë me rritjen e rezervës shtetërore me 15 milionë euro më shumë në mënyrë që t’i sigurojë qytetarët që në rrethana të jashtëzakonshme të kenë përkrahjen shtetërore në tejkalimin e situatave të krizës dhe për mbijetesë”, tha Hajdari.
Ministrja Hajdari ka thënë se MINT ka ndërmarrë veprimet ligjore për raportimet që ajo i quan “shpifje e fyerje”, derisa ka thënë se në mandatin e saj janë dorëzuar 26 lëndë në Prokurorinë Themelore, në Policinë e Kosovës dhe në Gjykatën e Kosovës por se nuk janë njoftuar nga ta për ndërmarrjen e ndonjë vendimi./InLajmi/