Ministria e Punëve të Brendshme ka dorëzuar kërkesa për inicimin e procedurave kundër Komunës së Çairit dhe të Tetovës dhe kundër kryebashkiakëve, Visar Ganiut dhe Bilal Kasamit.
MPB-ja njofton se vazhdon kërkimet për personin i cili në njërin prej manifestimeve valëviti flamurin e Shqipërisë së Madhe dhe njofton se pas kapjes kundër tij do të ngritet kallëzim adekuat penal.
“Gjatë vizitës zyrtare të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti nuk është vepruar konform ligjit për përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit të RMV-së. Respektivisht gjatë manifestimeve nuk është intonuar himni shtetëror dhe nuk është vendosur flamuri i RMV-së, me çka është shkelur neni 30 i ligjit”.
5 ditë pas vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Çair dhe Tetovë, Kreu i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, gjatë ditës së sotme është ftuar në polici.
Ganiu tha se kallëzimet janë të motivuara politikisht.
Në polici është thirrur edhe kryetari i komunës së Tetovës, Bilal Kasami, për shkak të akuzave të autoriteteve të vendit për atë që në opinion u quajt ikonografi e Shqipërisë së Madhe, gjatë koncertit me rastin e vizitës së Kurtit në Tetovë.