Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” s’do ta lejojë më stafin e vetë që të angazhohet edhe nëpër kolegje private. Vendimi është marrë nga Këshilli Drejtues i UP’së. Për ish-zëvendësministrin e Arsimit, Dukagjin Pupovcin, ky vendim është i kuptueshëm.
Ai ka propozuar që një vendim i ngjashëm të merret edhe për universitetet e tjera publike, meqë thotë se do t’u ndihmonte të profilizohen.
Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës ka vendosur sot që t’ua ndalojë profesorëve të këtij universiteti që të angazhohen edhe në kolegje private.
Në vendim thuhet se këtu përfshihet edhe deklarimi në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, si staf akademik i institucionit privat të arsimit të lartë apo mbështetjen në çfarëdo forme të kolegjit/institucionit privat të arsimit të lartë, në procesin e akreditimit të programeve dhe atë institucional.
“Nuk lejohet angazhimi i personelit akademik në kolegje/institucione private të arsimit të lartë, përfshirë edhe deklarimin në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, si staf akademik i institucionit privat të arsimit të lartë apo mbështetjen në çfarëdo forme të kolegjit/institucionit privat të arsimit të lartë, në procesin e akreditimit të programeve dhe atë institucional”, thuhet në vendim.
Ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovcin, ka thënë se vendimi i marrë nga Këshilli Drejtues është i kuptueshëm, meqë kolegjet private janë konkurrencë e drejtpërdrejtë e Universitetit të Prishtinës.
Sipas Pupovcit, ky vendim është i dobishëm edhe për kolegjet private, meqë do t’u ndihmojë në profilizim.
“Në kushtet e zvogëlimit të vazhdueshëm të interesimit për studime universitare dhe ashpërsimit të kushteve për akreditim, kolegjet private janë konkurrencë e drejtpërdrejtë e Universitetit të Prishtinës, prandaj vendimi është i kuptueshëm. Besoj se ky vendim i UP-së do t’i ndihmojë kolegjet private që të profilizohen, duke u përqendruar në ato programe për të cilat mund të sigurojnë personel akademik të kualifikuar, sepse personeli akademik është aseti kryesor që i jep identitet një institucioni të arsimit të lartë.
Ai ka propozuar që një vendim i ngjashëm të merret edhe për universitetet tjera publike.
“Do të ishte e arsyeshme që një vendim i ngjashëm të merrej edhe në raport me universitetet tjera publike, që do të ju ndihmonte edhe atyre të profilizohen, duke shmangur replikimin e panevojshëm të programeve të UP-së në ato universitete”, ka thënë Pupovci.
Ndryshe, Pupovci ishte emëruar zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në prill të vitit 2021.
Në nëntor të vitit 2022, ai kishte njoftuar se do të tërhiqej nga ky post, për arsye të natyrës personale, shkruan Gazeta Express
“Është e vërtetë se kam planifikuar që deri në fund të vitit 2022 të tërhiqem nga posti i zëvendësministrit të MASHTI dhe këtë ja kam komunikuar Ministres Nagavci dhe Kryeministrit Kurti në tetor. Arsyet janë të natyrës personale. Për korrektësi, dorëheqjen formale nuk e kam paraqitur akoma, por këtë do ta bëj në kohën e duhur, kur t’i përfundoj edhe disa punë që i kam filluar dhe në koordinim me Ministren e Kryeministrin. Edhe pasi të jem larguar nga posti i tanishëm do të mbetem aktiv në fushën e arsimit”, kishte thënë Pupovci për Express, atë kohë.