Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shprehen se janë të tronditur në lidhje me vendimin e Qeverisë Kurti për mbylljen e Klan Kosova, përcjell InLajmi.
AGK janë alarmuar nga vendimi i MINT në lidhje me refuzimin e ankesës së televizionit në fjalë duke lënë kështu në fuqi vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit të këtij mediumi.
Tutje në njoftim thuhet se ministrja Rozeta Hajdari ka finalizuar të gjitha veprimet administrative të nevojshme për të mbyllur televizionin Klan Kosova, duke thënë se ky vendim duhet të kuptohet si vendim i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Kurti për të mbyllur një medium për herë të parë që nga përfundimi i luftës në Kosovë.
Nga AGK thonë se vendimi i sotëm i ministrisë së udhëhequr nga ministrja Hajdari konfirmon luftën e hapur dhe të paprecedent të kësaj qeverie, kundër medieve, si paralajmërim që edhe të tjera medie do të jenë cak i sulmeve.
Njoftimi i plotë nga AGK:
AGK-ja e tronditur me vendimin e Qeverisë Kurti për mbylljen e Klan Kosova
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është alarmuar me vendimin e Komisionit të Ankesave pranë MINT për të refuzuar ankesën e televizionit Klan Kosova, duke lënë kështu në fuqi vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit të këtij mediumi.
Me këtë vendim, ministrja Rozeta Hajdari e cila është pjesë e Qeverisë Kurti ka finalizuar të gjitha veprimet administrative të nevojshme për të mbyllur televizionin Klan Kosova. Ndonëse vendimi mund të apelohet në gjykatë, ky vendim duhet të kuptohet si vendim i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Kurti për të mbyllur një medium për herë të parë që nga përfundimi i luftës në Kosovë.
AGK-ja, beson se ky proces që nga fillimi ka qenë i motivuar politikisht nga partia në pushtet dhe Qeveria e Kryeministrit Kurti, në përpjekje për të mbyllur televizionin më të madh privat në vend. Vendimi i sotëm i ministrisë së udhëhequr nga ministrja Hajdari konfirmon luftën e hapur dhe të paprecedent të kësaj qeverie, kundër medieve, si paralajmërim që edhe të tjera medie do të jenë cak i sulmeve.
AGK-ja, e inkurajon Klan Kosovën që ta vazhdojë betejën në gjykatë dhe shprehë besimin që gjykata nuk do të lejojë mbylljen e një mediumi në Kosovë.
Vendimi i sotëm politik i Qeverisë Kurti është goditja më e rëndë që i bëhet lirisë së medies në Kosovë që prej kohës së luftës/InLajmi/