Hapësira e dedikuar për gazetarët dhe kameramanët në sallën e Kuvendit të Kosovës sot është kufizuar.
Gazetari Flamur Gajtani ka thënë se ky vendim është marrë nga Kuvendi i Kosovës me arsyetimin se po bëhet për shkaqe sigurie, por sipas tij nuk janë treguar detajet se çfarë po e rrezikon atë siguri.
Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka treguar se në të kaluarën ka pasur situata edhe më të tensionuara, mirëpo puna e gazetarëve asnjëherë nuk është kufizuar.
“Arsyetimi prej zyrtareve ishte që ai shirit që po vendoset rreth një metër prej vendit ku kemi qëndruar më herët ka qenë për çështje të sigurisë, mirëpo pa specifikuar se çfarë po e rrezikon atë siguri”, ka thënë Gajtani.
“Ne kemi tentuar t’i pyesim ata dhe nga kabineti i Konjufcës, mirëpo nuk kemi marrë një përgjigje. Është me të vërtetë habitëse sepse ka pasur situata edhe më të tensionuara në të kaluarën, por puna e gazetarëve nuk është kufizuar siç ka ndodhur sot” , ka shtuar ai tutje.
Tutje, ai ka treguar se sot ka pasur tendenca nga administrata e Kuvendit që shiriti në fjalë të vendoset qysh në mëngjes kur ka filluar diskutimi i pikave të mbetura nga seancat e kaluara, por kjo nuk ka ndodhur deri në fillim të seancës së jashtëzakonshme të orës 14:00.