Kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë dhe ministri i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq tha se në bashkësia ndërkombëtare ka “komente shumë negative” për situatën në Kosovë “ për pakënaqësinë me politikën e Kurtit” dhe mosrespektimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel nga ana tij, transmeton InLajm.
Daçiq tha për televizionin Pink se “qëllimi i gjithë kësaj është krijimi i një atmosfere pasigurie dhe frike dhe krijimi i kushteve për emigrimin e serbëve nga Kosova”.
“Ne paralajmëruam se kemi të bëjmë me terrenin ku ka shumë mina dhe se nuk e dimë se ku përfundon ajo fushë e minuar”, tha Daçiq.
Ai tha se “në thelb kemi një proces që shkon kundër pritshmërive të të gjithë atyre që udhëheqin dialogun”.
Daçiq përsëriti se për Serbinë çështja kryesore është themelimi i Asociacionit.
“Çështja thelbësore për ne është formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe, e cila asnjëherë nuk është vënë në rend dite”, tha Daçiq.
Ai po ashtu tha se Serbia është në një fazë të shtuar të aktiviteteve diplomatike dhe se vetëm këtë muaj Beogradin e kanë vizituar 5-së ministra të jashtëm, ndërsa pritet që të dielën vjen në vizitë ministri i jashtëm i Ugandës/Inlajmi/.