Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq, ka thënë sot se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është politikisht dhe faktikisht një person i padëshirueshëm në Uashingtonin, sepse veprimet e tij janë dëshmuar se janë “varrmihësi i Kosovës si shtet i pavarur”, transmeton InLajmi
“Ajo që po ndodh në Ballkan nuk është ndër prioritetet e publikut politik amerikan, ata janë të interesuar për Kinën, Rusinë, pak Lindjen e Mesme… Çdo gjë tjetër që po ndodh në botë është temë diskutimi ekskluzivisht kur shfaqet në lajme”, tha ai në “Happy TV”.
Gjuriq shtoi se detyra e tij nuk është vetëm t’i japë Uashingtonit faktet për atë që po ndodh në veri të Kosovës, por edhe të punojë që Serbia dhe SHBA-të të lidhen në mënyrë interesante përmes bashkëpunimit ekonomik.
“Drejtori i Zyrës Qeveritare për Kosovë, Petar Petkoviq, faktin që ekstremisti Kurti ia ndaloi hyrjen në Kosovë duhet ta marrë si kompliment për punën e tij. Është mirë kur një ekstremist si ai nuk e miraton politikën tënde”, tha Gjuriq.
I pyetur për sanksionet e vendosura nga SHBA ndaj kreut të Agjencisë së Informacionit të Sigurisë (BIA), Aleksandar Vulin, ai tha se ato janë të natyrës politike dhe se Serbia ka vepruar natyrshëm duke kërkuar nga Amerika që të vërtetojë pretendimet e saj.
“Ne jemi një komb që ka vuajtur shumë për shkak të sanksioneve.Ne nuk duam të flasim me gjuhën e sanksioneve, por të bashkëpunimit”, tha Gjuriq./Inlajmi/