5 ministrat Donika Gërvalla, Hajrull Çeku, Liburn Aliu, Elbert Krasniqi, Rozeta Hajdari dhe zëvendësministrja e Gërvallës, Liza Gashi janë nën hetim nga Task Forca e Policisë së Kosovës. Ata po hetohen nën dyshimin për korrupsion.
Lidhur me këtë, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, thotë se në Qeverinë Kurti ka ministra që e kanë shkelur Kushtetutën dhe numri prej 5 ministrash nën hetime nuk është befasi.
“Qeveria Kurti II, në kabinet ka ministra që tashmë është e konfirmuar se kanë shkelë Kushtetutën. Tenderët njëburimor, duke shkelë Ligjin e prokurimit publik janë pjesë e secilit furnizim e investim kapital në këtë Qeveri, andaj numri prej pesë anëtarëve të kabinetit që janë nën hetime nuk është fare befasi për mua”, potencon ajo.
Sipas Bajramit, skandali i ambasadorit Berishaj, burgosja e Nagip Krasniqit e kanë vulën e korrupsionit.
“Skandali i energjisë elektrike me të ashtuquajturin ambasador Berishaj, burgosja e Nagip Krasniqit të gjitha e kanë vulën e korrupsionit. Kapja e çdo institucioni me familjar e militantë partiak po ashtu është korrupsion”, vlerëson deputetja
Ajo shton se secila kauzë e VV-së ka qenë vetëm për votë dhe tani ka rënë perdja dhe të gjithë po e shohin qeverisjen e VV-së, e cila me skandale ka tejkaluar çdo qeveri, shkruan Gazeta Blic
“Jo vetëm kauza kundër korrupsionit, por secila kauzë e LVV-së mbi të cilën kanë ardhur në pushtet u vërtetua se kanë qenë farsë dhe vetëm për votë, tani ka rënë perdja të gjithë po e shohim qeverisjen e LVV-së. Kjo Qeveri me skandale e korrupsion ju ka tejkaluar të gjitha qeverive të mëparshme”, deklaron deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.