Kryeministri Albin Kurti ka shkuar në Pejë së bashku me disa ministra e deputetë, përcjell InLajmi
Zyra e Kryeministrit njoftoi mbrëmë se Kurti e nisi vizitën në Qendrën Nacionale të Xhudos, ku u prit nga kryetari i Federatës së Xhudos të Kosovës, Agron Kuka dhe ekipi kampion i xhudistëve.
Siç njoftoi ZKM-ja, ndalesën e radhës, Kurti e pati te Kulla e Ministerit, “e cila ka një arkitekturë e stil të veçantë, dhe e cila po restaurohet në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, për të vazhduar në Çarshinë e Gjatë, e cila përkundër shkatërrimit masovik nga forcat serbe është rindërtuar”.
Gjatë kësaj vizite, Kurti ishte i shoqëruar nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi dhe deputetët Gramos Agusholli, Fatmire Kollçaku dhe Ardian Gola./InLajmi/