Senatori amerikan, Chris Murphy, i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të angazhohen për shtensionimin e situatës në komunat në veri, përmes organizimit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të reja.
Senatori Murphy ka theksuar se një sërë masash si, mbajtja e zgjedhjeve të reja në komunat e banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës, tërheqja e njësive speciale dhe lirimi i të arrestuarve, do të çojnë në uljen e tensioneve.
Ai gjithashtu ka theksuar se Serbia duhet t’i inkurajojë banorët serbë të marrin pjesë në zgjedhje dhe të mos ndërhyjë në procesin zgjedhor.
“Nëse hyjmë në rrugën e shtensionimit, duke tërhequr njësitet speciale të policisë dhe duke organizuar zgjedhjeve të reja, mendoj që kemi një mundësi që gradualisht ta kthejmë dialogun në drejtimin e duhur,” ka deklaruar Murphy.
Shtetet e Bashkuara, krahas shteteve kryesore të Bashkimit Evropian, kanë shtuar kërkesat e tyre ndaj Kosovës dhe Serbisë për të shtensionuar gjendjen në tre komunat veriore të Kosovës, që së fundi u shndërruan në arenë përplasjesh mes forcave policore të Kosovës, protestuesve serbë dhe forcave paqëruajtëse të NATO-s.
Situata në veri u përshkallëzua pas zgjedhjeve të mbajtura në muajin prill, të cilat u bojkotuan nga serbët. Kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, të kundërshtuar nga serbët, morën detyrën me mbështetjen e policisë.
Senatori Murphy ka theksuar se do të preferonte që SHBA-të të merrnin një rol më aktiv në shtensionimin e situatës në rajon.
“Dua që ta konfirmojmë sa më parë ndihmëssekretarin e ri për Evropën, (James O’Brien) pjesërisht për shkak se i emëruari i presidentit Biden për këtë pozitë ka një përvojë të gjatë në rajon. Shumë shpejt do të kemi një zyrtar të lartë të Departamentit të Shtetit të konfirmuar që e njeh Kosovën, e njeh Serbinë, e njeh rajonin dhe do të mund të mbështesë përpjekjet e ambasadës tonë, si dhe punën që po bën zoti Escobar. Kemi një mundësi reale që SHBA-të të shtojnë angazhimin pasi i emëruari i ri i presidentit Biden është emër i njohur dhe me përvojë në rajon”, është shprehur ai.
Senatori Murphy është pyetur edhe për vendimin e SHBA-ve për të sanksionuar shefin e zbulimit të Serbisë, Aleksandër Vulin, zyrtar prorus i Serbisë, i afërt me presidentin serb Vuçiq.
“Nëse Serbia me të vërtetë e do një të ardhme si pjesë e Evropës, nuk mund ta ketë shefin e zbulimit të angazhuar në koordinim të hapur me rusët në këtë kohë. Dhe ua kemi bërë të qartë jo vetëm Serbisë, por të gjithë miqve tanë, se do të ketë pasoja nëse vendosin të mos u bashkohen sanksioneve, nëse janë pjesë e aktiviteteve sekrete me rusët. Ne duam që Serbia të jetë pjesë e lëvizjes euroatlantike, duam që ata të kenë të ardhme europiane”, ka thënë ai për VOA
Sipas tij, është në interesin e Serbisë që të dërgojë mesazhin se agresioni rus në Ukrainë nuk mund të tolerohet