Kryetari I AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, t’i lexojë drejt porositë e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, ku raportoi emisari amerikan, Gabriel Escobar.
Haradinaj tha se “Është koha e fundit që Kurti të largohet nga temat tensionuese dhe destruktive, ku vegjetojnë liderët prorusë, sikurse janë dhe do të vazhdojnë të mbesin Dodik dhe Vuçiq”.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe politikëbërësit e saj, edhe kësaj radhe po inkurajojnë Kosovën t’u qëndrojë zotimeve, të hapë rrugë për afirmim ndërkombëtar, për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, për fushatë globale të njohjes, për avancim në integrim evropian dhe për zhvillim social e ekonomik, për vendosmëri në proces të rrugëtimit drejt NATO-s dhe BE-së. Këtu qëndrojnë, këtu i gjejmë dhe këtu na presin miqtë tanë strategjikë”, tha ai.
I pari i AAK-së theksoi se Kosova duhet t’i kryejë obligimet e saj, teksa shtoi se duhet ta “përqafëojë”, mbështetjen e ShBA-së dhe aleatëve të tjerë, për ta pamundësuar ndërhyrjen e Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor.
“Kosova e ka për detyrim ta bëjë pjesën e saj, dhe ta përqafojë mbështetjen e parezervë të ShBA-ve dhe aleatëve, në mbylljen e plasaritjeve dhe shtigjeve të ndërhyrjeve nga Rusia dhe Kina në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.
Kosova, sipas Haradinajt, nuk ka kohë për të humbur.
“Kurti mund të ketë ritmin dhe orën e tij, por Kosova nuk ka kohë për të humbur, veçmas kur porositë dhe pritjet e aleatit tonë janë të qarta dhe të drejtpërdrejta. Koha është tash!”, tha ai.