Eksperti i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ka vlerësuar se është shqetësues fakti që Kosova nuk e ka asnjë fluturake apo helikopter.
Ai, tha se në të kaluarën, Kosovës u janë ofruar helikopterë falas, por ato qeveri nuk i kanë pranuar, sipas tij, për shkak se kanë dashur të përfitojnë.
“Ne realisht donacionet nuk i kemi shfrytëzuar. Shumë na kanë ofruar, Turqia, Jordani etj, na kanë ofruar falas helikopterë, e s’i kemi pranuar, merreni me mend cfarë qeverie kemi pasur. PËr shkak të aferave korruptive, ata mendojnë që nga porosia e një armatimi të tillë, duhet t’i nënshtrohet çështjes së prokurimit, por jo assesi të merren me afera korruptive. Në prapavi ka ekzistuar tendenca të përfitohet diçka. Sot është e papranueshme”, tha ai.
Sipas tij, është tejet shqetësuese se si Kosova nuk ka fluturake as për raste emergjente.
“Në aspektin të emergjencave, të vërshimeve, zjarreve malore e fushore, aksidenteve të trafikit, ne s’e kemi një fluturake, kjo është tmerr. Kjo duhet t’i adresohet gjitha qeverive. S’e kemi asnjë sepse kanë tentuar të përfitojnë nga këto blerje. Tash me blerjen e dronëve, fillojnë debatet, duke thënë se cka na nevojiten dronët? Si s’na nevojiten, e ka tmerruar Serbinë. Duhet leja e KFOR-it…”, tha ai.