Sot pritet që të shënohet piku në valën e të nxehtit që po përvëlon Evropën jugore prej ditësh. Mesdheu qendror, ku përfshihet edhe Shqipëria, paralajmërohet se do të përjetojë temperaturat më të larta të këtij sezoni veror me mot ekstrem.
Agjencia Evropiane Hapësinore njofton se ishulli Italian i Sardenjës mund të shënojë 48 gradë celsius. Por “ferri” duket se nuk do të përfundojë me kaq. Ka paralajmërime se i nxehti përvëlues mund të vazhdojë edhe për 10 ditë të tjera në disa pjesë të Italisë.
Vala me kushtet e motit ekstrem ka prekur shtete si Spanja, Greqia, Turqia, vendet e Ballkanit Perëndimor. Thatësira bashkuar me rrezet e fuqishme të diellit kanë shkaktuar emergjenca në pjesë të ndryshme të Evropës. Prej ditësh autoritetet po luftojnë me vatrat e zjarrit në La Palma të Ishujve Kanarie të Spanjës, ndërsa raportohen temperature deri në 44 gradë celsius.
Po ashtu flakët kanë përfshirë dhe disa zona në Turqi, ku shteti ka angazhuar me qindra zjarrfikës për vënien e tyre nën kontroll. Edhe shteti i Greqisë po lufton me vatrat e zjarrit, kryesisht në rajonin e Atikës ku përfshihet dhe kryeqyteti, shkruan A2CNN
Raportohen me dhjetëra shtëpi të shkrumbuara dhe persona të evakuuar. Një nga zjarret më të mëdha shpërtheu në pyll në qytetin turistik të Loutraki, rreth 4 km në verilindje të Korinthit. Kryebashkiaku ka urdhëruar evakuimin e 1200 fëmijëve në fshatrat e zonës.