Ka nisur fushata e korrje-shirjeve edhe në komunën e Lipjanit. I pranishëm ishte edhe kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci.
Kurti ka njoftuar se gjithsej janë 66.000 hektare tokë të cilat do të korren dhe se kjo është duke ndodhur në periudhën kur subvencionet ndaj fermerëve janë rritur.
“Përveç 150 hektarëve për sipërfaqe, gjithashtu janë edhe 150 hektarë për blerje, 150 euro për sipërfaqe të hektarit, 150 për plehërim për një hektar, dhe 150 euro për performancë, rendiment. Kemi deri në 4 ton për hektar. Kur kalohet hektari atëherë kemi 3 cent për kilogram. Shenjat janë që do të mbërrijmë deri në 6 ton për hektar”, ka thënë kryeministri.
Ndërkaq ministri Peci tha se sipas të gjitha gjasave, Kosova do të arrijë të mbulojë nevojat elementare e bazike, e njëra nga to pikërisht gruri dhe mielli.
“Vetëm për të mbjellat me grurë janë 66.000 hektarë në gjithë Republikën. Fermeri i Kosovës është më i përkrahuri në rajon, gjitha reformat që i kemi marrë për procedurat, legjislacionin, menaxhimin e financave nuk do të ishin të mundura pa përkrahjen e Qeverisë dhe kryeministrit të vendit”, është shprehur ai.
Ndërkaq fermeri Valbon Vehabi ka thënë se procesi duket se do të jetë i frytshëm, shkruan RTK.
“Ne sot kemi filluar me korrje, fillimi është i mirë, rendimenti do të jetë i kënaqshëm. Kemi sasi të madhe të autokombajave. Besojmë që rrafshi i Kosovës brenda 3-4 ditëve do ta përfundojë korrjen, pastaj do të nisim me Gollakun”, ka thënë Vehabi.