Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, këtë të premte gjatë fjalimit në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 58-të të policisë tha se Policia e Kosovës është vijimësi e UÇK-së dhe si pjesëtarë të Policisë do të jenë pjesë e historisë, raporton InLajmi.
Kurti tha se Policia e Kosovës vazhdon të jetë një ndër institucionet më të besueshme për qytetarët dhe se në 2 vitet e fundit kanë vijuar me intensitet të madh punën edhe në veri të vendit.
“Jam i nderuar dhe i lumtur që gjendem këtu me rastin e diplomimit te 418 kadetëve. Si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi zotuar për luftim ndaj çdo krimi të organizuar, për ruajtje të sovranitetit dhe integritetit të vendit tonë”, u shpreh ai.
Kurti tha se janë arrestuar mbi 3.200 persona për dhunë, vrasje, kanosje e deri në përfshirje për akte terroriste.
“Aktiviteti i Policisë sonë është shtrirë edhe në veri të vendit. 5 zyrtarë janë lënduar lehtë e disa të tjerë më rëndë. Të gjitha këto rezultate e sakrifica janë dëshmi se kjo detyrë kërkon bindje të pa kompromis”, tha ai.
Tutje kryeministri tha se zyrtarët policorë që nuk kanë bërë kompromis me ligjin janë shembulli më i mirë për t’u ndjekur nga ju dhe tutje falënderoi policët për gatishmërinë dhe vendosshmërinë, për qëndrimin dhe vullnetin
“Si pjesëtarë të Policisë së Kosovës do jeni pjesë e historisë sonë për të mbrojtur republikën tonë. Kemi një qeveri bashkëpunuese e cila do adresojë secilën sfidë që keni para vetes. Policia jonë do vazhdojë të mbesë në shërbim te qytetarëve çdo ditë”, tha Kurti/InLajmi/