Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka bërë të ditur se janë gjetur mbetjet mortore të 3 personave, të cilët dyshohen të jenë viktima të luftës së fundit në Kosovë, përcjell InLajmi
Gara bëri të ditur se mbetjet mortore u gjetën pas gërmimeve në fshatin Vidimriq të Mitrovicës.
Të dhënat e mëtutjeshme sipas Garës, do të saktësohen pasi të përfundojmë ekzaminimet e nevojshme mjekoligjore përfshirë analizën e ADN-së.
Postimi i plotë i tij:
Për të nderuar tragjeditë e aq shumë familjeve e në përpjekje për të respektuar një të drejtë elementare të tyre, sic është e drejta për të ditur
Edhe gjatë kësaj jave kemi vazhduar me gërmimet sipas planifikimeve paraprake dhe në bashkërendim të aktiviteteve ndërinstitucionale, mes KQPZH-së, IML-së dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës , në zbatim të urdhëresës së Gjykatës sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Gërmimet vlerësuese të filluara sot në lokacionin në fshatin Vidimriq, Mitrovicë, kanë rezultuar me gjetje dhe zhvarrosjen e 3 individëve /personave , viktima të luftës, që vazhdojnë të jenë në Listën e Personave të Zhdukur. Sigurisht këto të dhëna do të saktësohen pasi të përfundojnë ekzaminimet e nevojshme mjekoligjore , përfshirë edhe identifikimin përmes analizës së ADN-së në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur.
Lokacioni në Vidimriq është një nga rastet/ lokacionet e trajtuara pas një pune intensive në kuptim të shqyrtimit të hollësishëm te të gjitha të dhënave , pra analizimit të tyre nga ana e institucioneve kompetente të lartcekura në bashkëpunim me ekspertët e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe EULEX-it.
Mirënjohje e falënderim për të gjithë ekspertët mjekoligjorë , hetues policorë , zyrtarë e shërbyes civilë, si dhe profesionistë mbështetës ndërkombëtarë, të cilët si një ekip i vetëm po orvaten t’ua lehtësojmë familjeve barrën e pritjes. Por para se gjithash, mirënjohje e falënderimin më të veçantë të gjitha familjeve që përkundër dhimbjes e ankthit të pritjes, janë duke mbështetur në vazhdimësi punën e institucioneve, në përpjekjen e përbashkët për ndriçimin e të vërtetës, për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë. /InLajmi/