Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se është në kontakt të vazhdueshëm me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin është gati të takohet, duke iu përgjigjur një pyetjeje të një gazetari në Vilnius, ku po mbahet samiti 2 ditor i NATO-s, transmeton InLajmi.
Ndërkohë, Stoltenberg ka folur edhe për situatën në veri të Kosovës, ndërsa është shprehur se në atë pjesë janë shtuar forcat.
“NATO është e pranishme në Kosovë për të siguruar paqen dhe stabilitetin.Duke pasur parasysh paqëndrueshmërinë e fundit, ne kemi rritur praninë tonë”, tha Stoltenberg.
Ndryshe, të marten në kryeqytetin e Lituanisë, liderët e vendeve anëtare të Aleancës do të diskutojnë për 2 ditë radhazi për shumë tema, si pranimi i Suedisë në NATO dhe synimi i Ukrainës për t’u bërë pjesë e kësaj aleance ushtarake, shkruan Danas.
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenbeg, konfirmoi se në samit do të propozojë një proces të thjeshtuar për anëtarësimin e Ukrainës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut/InLajmi/