Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se me Projektligjin për Tatimin në pronë synohet ulja e çmimeve të banesave, raporton InLajmi.
Ministri Murati ka sqaruar se përveç faljes së vlerës deri në 100 euro për tatimin në pronë për vitin 2023, Projektligji për Tatimin në pronë parasheh uljen e çmimit të banesave nga viti 2025, kjo sipas tij do të mundësohet përmes aplikimit të taksës progresive.
Ministri iu bëri thirrje deputetëve ta votojnë projektligjin në fjalë pasi në shtator duhet të përfundohen pagesat nga tatimpaguesit.
Ndërkohëpati edhe një kërkesë për ndërtimtarët që të ulin çmimet e banesave që iu kanë mbetur të pashitura.
“Me këtë projektligj, çfarë kemi propozuar është që për vitin aktual të zvogëlohet barra e tatimpaguesve për secilin deri në 100 euro. Nga kjo përfitojnë 95% e qytetarëve”, tha ministri Murati.
“Ndërsa çështja e tjetër është periudha kalimtare për vitin e ardhshëm ku pragu prej 0.15% ulet në 0.10% për të gjithë. Dhe, për vitin 2025 e tutje, është propozu që të ketë tatim progresiv, pra tatim të përshkallëzuar, e ku me lirimet e përshkuara për pronën primare duhet të arrihet vlera prej 275.000 euro e pronës, në mënyrë që të fillojë të paguhet më shumë. Pra kushdo që është nën 275.000 të vlerës së pronës, i bie të paguajë më pak”, u shpreh ministri Murati/InLajmi/