Kuvendi i Kosovës këtë të hënë e ka miratuar në lexim të parë Projektligji që e vazhdon edhe për 2 vite njohjen e statusit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, raporton InLajmi.
Projektligjin e prezantoi ministri i Financave Hekuran Murati, i cili tregoi deri më 15 maj të vitit 2025 do të jetë afati për aplikim.
“Propozimi është që aplikimi për njohjen e statusit për të gjithë personat që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës të vazhdohet edhe për 2 vjet, më konkretisht deri më 15 maj 2025”, tha ai.
Kjo periudhë e propozuar u kundërshtua nga deputetët e opozitës.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës Eliza Hoxha, tha se afati nuk duhet të jetë i zgjatur vetëm për 2 vite, por duhet të jetë afat i lirë.
“Pavarësisht se kur viktima në çfarëdo rrethane ndihet i lirë për të adresuar çështjen e vet që e trajton atë si viktimë civile, procesi duhet të jetë i hapur dhe nuk duhet të ketë kufizime kohore”, tha ajo.
Të njëjtën e mbështeti edhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje duke thënë se nuk duhet pasur kufizime kohore, pasi nuk është kufizuar në Bosnje, Kroaci dhe asnjë vend.
“Po ashtu puna e komisionit brenda është shumë katastrofale, kemi viktima që nuk janë të kënaqur me anëtarët e këtij komisioni. Unë publikisht po kërkoj që të ndryshohet ky komision pasi shumë gra kanë hezitime për t’u paraqitur”, theksoi Balje/InLajmi/