Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Besnik Tahiri ka thënë se nuk do të marrin pjesë në votimet e asnjë ligji në Kuvend, dhe se mënyra e vetme për të ndalur Qeverinë Kurti është votimi i mocionit të mosbesimit, raporton InLajmi.
“Kurti e ka izoluar Kosovën nuk është duke e parë pasqyrën. Është ngujuar në një kabinet të vetin dhe është duke e dërguar Kosovën në një humnerë dhe kjo duhet të ndalet.”, tha ai.
Tahiri tha se për këtë mocion ka diskutuar me opozitën para se të bëhej publik nga partia e tij, dhe shtoi se qeveria është duke vazhduar me deklarata e veprime skandaloze dhe se vendi është në qorrsokak.
“Si grup parlamentar ne sot nuk kemi marr pjesë në Kryesi dhe mendojmë që të gjitha votimet në gjitha nivelet duke filluar nga Kryesia, Komisionit dhe seancat nuk do të ndodhin”, tha Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së.
“Unë e kam diskutuar me shefa të grupeve. Kam pasur takim me shefat e grupeve dhe i kam njoftuar, ata kanë gatishmëri mirëpo brengen e kanë sa a i’u bëhen votat. Mendoj se votat bëhen nëse e marrim edhe mbështetjen e opozitës”, tha ai.
Tahiri e quan skandalin më të madh të Kurtit mostakimin me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën.
“Sa i përket deklaratave skandaloze të Qeverisë së Kosovës këto janë duke vazhduar që të jenë skandaloze. Ajo për sekretarin Blinken që është naiv ka qenë një deklarata tepër skandaloze. E kemi deklaratën tjetrën të ministres së Punëve të Jashtme”,tha deputeti./InLajmi/