Çështja e bombave thërrmuese për Ukrainën, pritet të diskutohet edhe gjatë takimit që Biden do të zhvillojë me kryeministrin britanik, Rishi Sunak, gjatë vizitës së tij në Britaninë e Madhe, këtë të hënë.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë mbërriti në Londër, në prag të samitit të NATO-s, në Vilnius të Lituanisë, teksa aleatët vënë në pikëpyetje thirrjen e tij për të dërguar armatimet e ndaluara te shteti në luftë. Britania e Madhe dhe Kanadaja janë mes vendeve që kanë shprehur shqetësim mbi rrezikun e një hapi të tillë, pasi bombat thërrmuese janë gjerësisht të ndaluara për shkak të rrezikut që përbëjnë për civilët.
Kryeministri britanik Sunak nuk e ka kritikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Bidenin lidhur me vendimin për bombat thërrmuese, por të shtunën ai bëri të ditur se Londra ishte mes 123 vendeve që kishte nënshkruar traktatin ndërkombëtar që ndalon prodhimin apo përdorimin e këtyre armatimeve. Por SHBA-ja, tha se ka marrë garanci me shkrim nga Kievi se trupat ukrainase nuk do t’i përdorin ato në Rusi dhe zonat urbane, shkruan A2CNN.
Gjatë qëndrimit në Britani, Biden do të takohet gjithashtu me Mbretin Charles, për herë të parë që prej kurorëzimit të tij. Presidenti amerikan do të udhëtoje më vonë drejt Vilniusit për samitin 2 ditor të NATO-s, dhe më pas në Helsinki të Finlandës, shteti më i ri që i bashkohet aleancës ushtarake.