Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka kujtuar 25 vjetorin e betejës në fshatin Morinë të Gjakovës, i cili tha se kjo ndodhi në një kohë aq të vështirë, në muajt e parë të luftës në Kosovë, përcjell InLajmi.
Kurti tha se mobilizimi, furnizimi dhe organizimi i UÇK-së ishte sfida kryesore e kohës në një kohë kur secili shteg mali dhe secila rrugë që mund të shërbente si kanal furnizimi me armë.
Ai tutje tha se më 7 korrik 1998 në betejën e Morinës në Rekë të Keqe të Malësisë së Gjakovës kujtoi dëshmorët Muhamet Ukshini, Arben Ukshini, Blerim Ukshini, Shkelzen Syla, Sylejmon Abdyli, Fisnik Salihu, Ymer Bytyqi, Nezir Elezaj dhe Ahmet Pulatani.
Postimi i plotë i tij:
Ajo ishte një betejë shumë e ashpër që ndodhi plot 25 vite më parë, në një kohë aq të vështirë, në muajt e parë të luftës në Kosovë, kur mobilizimi, furnizimi dhe organizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte sfida kryesore e kohës. Në një kohë kur secili shteg mali dhe secila rrugë që mund të shërbente si kanal furnizimi me armë për UÇK-në, ishte jetike për luftën çlirimtare të Kosovës.
Një korridor i tillë nëpërmjet të cilit furnizohej me armë UÇK-ja, kalonte nëpër fshatin Morinë të Gjakovës, prej nga ushtarë çlirimtarë nga treva të ndryshme të Kosovës, fusnin armë nga Shqipëria në Kosovë.
Që nga 3 maji i vitit 1998 kur nisën luftimet në Ponoshec dhe 13 qershori kur forcat serbe ndërmorrën një ofensivë të gjerë për ta marrë nën kontrollën e tyre Morinën, ushtarët e UÇK-së u shkaktuan humbje forcave të Serbisë në balance prej dhjetëra pjesëtarësh. Më 7 korrik 1998, gjatë luftimeve të betejës së Morinës, në Rekë të Keqe të Malësisë së Gjakovës, ranë dëshmorë si luftëtarë lirie: Muhamet Ukshini, Arben Ukshini, Blerim Ukshini, Shkelzen Syla, Sylejmon Abdyli, Fisnik Salihu, Ymer Bytyqi, Nezir Elezaj dhe Ahmet Pulatani.
Lavdi dëshmorëve dhe nderime luftëtarëve të Betejës së Morinës, në përvjetorin e 25-të të kësaj beteje të lavdishme!/InLajmi/