Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka folur rreth projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Tatimin në Pronë, që do të mundësonte që secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të faturës së tatimit në pronë për vitin tatimor 2023.
Ibrahimi thotë se, ky është një premtim i ministrit Murati tash e një kohë, por sipas tij, niveli i pagesës së tatimit në pronë nga qytetarët e Republikës së Kosovës, ka përqindje të vogël.
“Po, është e vërtetë që Ministri Hekuran Murati ka dhënë një premtim të tillë që në fillim të këtij viti. Ky “premtim” i tij ka bërë që niveli i pagesës së tatimit në pronë nga qytetarët e Republikës së Kosovës, në përqindje, të jetë i ulët”, tha ai. “Pra, qytetarët kanë mbajtur shpresë që një falje e tillë do të ndodhë mirëpo pasiqë qytatarët nuk e kanë paguar këstin e parë të tatimit në pronë duke mbajtur shpresa se një falje e tillë do të ndodhë, atyre do i shtohet gjoba dhe kamata kur ta bëjnë pagesën e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023”, shtoi Ibrahimi.
Ibrahimi tha se kërkesa e komunave ishte që ky ligj të kthehet në qeveri edhe një herë, teksa ka shtuar se kjo ministri nuk është konsultuar fare me komunat. “Kjo ministri nuk i ka konsultuar fare komunat sa i përket amandamentimit të ligjit për tatimin në pronë dhe si pasojë komunat kanë kërkuar që ky ligj të kthehet në qeveri edhe një herë ku mëpastaj komunat do konsultoheshin dhe do gjendej zgjidhja më e mirë”, tha Ibrahimi.
“Nëse një veprim i tillë ndërmirret nga niveli qëndor, komunat do humbasin me 10-tra miliona euro, e këto miliona euro shkojnë për imvestime kapitale”, shtoi Ibrahimi.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ende s’ka arritur që ta miratojë në lexim të parë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për tatimin në pronën e paluajtshme. Në Qeveri, ky projektligji është miratuar më 31 mars.
Me miratimin dhe hyrjen në fuqi të këtij Ligji, secilit tatimpagues parashihet t’i falen deri në 100 euro të faturës së tatimit në pronë për vitin tatimor 2023.
Për qytetarët që tashmë e kanë paguar faturën, shuma e falur do t’ju llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.
“Në rast se tatimpaguesi ka paguar faturën e tatimit në pronë për vitin 2023, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese”.
Në projektligj sqarohet se falja tatimore zbatohet vetëm për këtë vit.
“Zbatimi i këtij kapitulli mbetet përgjegjësi e çdo komune përgjegjëse për administrimin e procesit të tatimit në pronë për pronat e paluajtshme që ndodhen brenda territorit të komunës”, thuhet në projektligj.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar se me faljen që do të bëhet, 85% tatimpaguesve nuk do të paguanin asgjë për këtë vit, 10% të tjerë do të paguanin më pak se 100 euro dhe vetëm 5% e tatimpaguesve do të paguanin më shumë se 100 euro.
Afati për pagesën e këstit të parë të tatimit në pronë ka përfunduar me 30 prill. Për këstin e 2-të, ka afat deri në fund të muajit shtator. Pë rata që s’paguajnë me kohë, do të aplikohet një interes prej 0.65% për secilin muaj që vonohet pagesa, si dhe një gjobë prej 10% të tatimit të papaguar.
Sivjet, faturat e jenë më të shtrenjta. Rritja e faturave të tatimit në pronë ka ardhur pas vlerësimit të përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, që ka bërë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në fund të vitit të kaluar.Pas këtij vlerësimi, tatimi në pronë për disa është rritur deri në 100%, e për disa ka mbetur i pandryshuar, pasi vlera e pronës, pas vlerësimit, nuk ka ndryshuar, shkruan GazetaBlic.
Opozita e ka kundërshtuar rritjen e tatimit në pronë. Pezullim të këtij vendimi ka kërkuar edhe Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës.